Ju lutem kini durim, kushdo që dëshiron të qëndrojë mund të qëndrojë. Kushdo që dëshiron të largohet është i lirë të largohet. Ne kemi siguruar mjaft autobusë dhe kamionë, do të transferoheni në Kladanj”, deklaroi Ratko Mladiç – Komandant i ushtrisë së serbëve boshnjak.
Këto fjalë të kriminelit të luftës, të dënuar për gjenocid, Ratko Mlladiç, dhe pas 29 viteve më vonë, janë dëshmi e çnjerëzimit, krimit dhe monstruozitetit. Mijëra djem dhe burra u ekzekutuan, vetëm sepse i përkisnin një grupi tjetër etnik dhe fetar.
Autorët më pas varrosën trupat e viktimave në varre masive të bëra me nxitim. Për të fshehur krimin, ata më vonë i gërmuan me buldozerë, duke i shpërndarë mbetjet nëpër varreza tjera.
Vrasjet e Srebrenicës ishin kulmi i përgjakshëm i luftës, e cila erdhi pasi shpërbërja e Jugosllavisë nxori pasionet nacionaliste dhe ambiciet territoriale që vuri përballë serbët e Bosnjës kundër dy popullsive të tjera kryesore etnike të vendit, kroatëve dhe boshnjakëve.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, gjykata më e lartë e OKB-së, përcaktoi në vitin 2007 se aktet e kryera në Srebrenicë përbënin gjenocid.
Ishte gjenocidi i parë në Evropë që nga Holokausti nazist në Luftën e Dytë Botërore, i cili vrau rreth 6 milionë hebrenj dhe njerëz nga pakicat e tjera.
Si Serbia ashtu edhe serbët e Bosnjës kanë mohuar se ka ndodhur gjenocid në Srebrenicë, edhe pse ajo është vërtetuar nga dy gjykata të OKB-së.
Udhëheqësi politik ushtarak serb i Bosnjës Radovan Karaxhiç dhe komandanti i tij ushtarak Ratko Mlladiç u dënuan për gjenocid në Srebrenicë nga Gjykata Speciale e OKB-së për Krimet e Luftës në Hagë.
Në fillim të këtij viti, Kombet e Bashkuara miratuan një rezolutë që përcakton një Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit për Gjenocidin e 1995.