Sot pata kënaqësinë ta mirëpres ambasadoren e Greqisë në Maqedoninë e Veriut, znj. Sofija Filipidu.
Me shkelqësinë e saj zonjën Filipidu diskutuam për mbrojtjen e mjedisit dhe bashkëpunimin ndërkufitar, gjëra këto thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit.
Një nga temat kryesore të takimit tonë ishte Marrëveshja për Parkun e Prespës, e nënshkruar në 2010 dhe ratifikuar në 2019, që ka krijuar struktura të rëndësishme për menaxhimin e parkut.
Ne ramë dakord që është e nevojshme të forcojmë këto struktura dhe t’u sigurojmë burimet e nevojshme për përmbushjen e objektivave.
Gjithashtu, gjatë takimit, diskutuam arritjet dhe sfidat e hasura deri më tani, si dhe mënyrat për të përmirësuar bashkëpunimin për të mbrojtur biodiversitetin unik të parkut. Theksuam rëndësinë e takimeve dypalëshe në nivel ministror në Forumin Delfi dhe Selanik për të adresuar sfidat e Parkut të Prespës, Liqenit të Dojranit dhe projekteve të infrastrukturës energjetike. Identifikuam sfida të përbashkëta dhe u pajtuam për zgjidhje të përbashkëta për menaxhimin e burimeve ujore dhe reduktimin e ndotjes ndërkufitare.
Diskutuam për rëndësinë e iniciativës së BE-së për Prespën dhe shkëmbimin e informacionit mbi regjimin hidrologjik dhe mbrojtjen e vlerave natyrore. Një tjetër pikë e rëndësishme ishte Liqeni i Dojranit, ku identifikuam nevojën për rikonstruksionin e impiantit të trajtimit të ujit dhe monitorimin e cilësisë së ujit.
Folëm për mundësitë e financimit të projekteve të rikonstruksionit dhe për angazhimin e partnerëve ndërkombëtarë. Në kuadër të Programit INTERREG të BE-së, përmendëm projektet e reja për shmangien e përmbytjeve dhe ndotjes së lumit Vardar, si dhe masterplanin për qëndrueshmërinë e Liqenit të Dojranit. Përfundimisht, u përqendruam në bashkëpunimin për basenin e lumit Drin dhe zbatimin e masave të parashikuara në Planin Strategjik të Veprimit, për të siguruar që baseni të mbetet një burim i qëndrueshëm për rajonin.
Ky takim ishte jashtëzakonisht produktiv dhe i frytshëm. Diskutuam çështje të rëndësishme që kërkojnë angazhimin dhe bashkëpunimin e thellë për të krijuar kushte për mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Jam i bindur se ky bashkëpunim do të ndihmojë në mbrojtjen e burimeve natyrore, përmirësimin e cilësisë së jetës dhe promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm në rajon!