Fronti Evropian dje organizoi Akademi për Legjitimitet me rastin e 23 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit. Ish ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në akademinë solemne ka prezantuar preambulën e përgatitur nga ekspertët amerikan në lidhje me legjitimitetin. Osmani, tha se përfaqësuesit e Frontit Evropian riafirmojnë angazhimin e tyre të palëkundur ndaj parimeve të përfshira në Marrëveshjen e Ohrit. “Marrëveshja e Ohrit qëndron si një gurrë-themel i paqes, stabilitetit dhe demokracisë në RMV duke mishëruar aspiratat e gjithë qytetarëve të saj për një shtet dhe shoqëri të drejtë dhe gjithëpërfshirëse”, tha Osmani.
Osmani tha se zhvillimet e fundit politike me qeverinë e re kanë cenuar rëndë themele, synimet dhe parimet themelore të Marrëveshjes së Ohrit. “Në Maqedoninë e Veriut partitë politike janë të organizuara mbi baza etnike dhe votuesit votojnë për parti politike të përkatësisë tyre etnike. Për të ruajtur dhe kultivuar karakterin multietnik të shtetit në jetën publike, që është një nga qëllimet kryesore të MO-së dhe për të ruajtur stabilitetin qeveritë në përgjithësi kanë reflektuar vullnetin elektoral të komuniteteve. Që atëherë parimi i legjitimitetit etnik është respektuar në përgjithësi nga të gjitha qeveritë. Në mungesë të këtij parimi maqedonasit etnik mund të vendosin arbitrarisht dhe preferencialisht se cila parti shqiptare etnike duhet të përfaqësoj popullin shqiptar. Kjo situatë është problematike. Cili është qëllimi i ekzistimit të partive politike etnike dhe cila do të ishte arsyeja që një komunitet etnik të dale të votojë në zgjedhje nëse përfaqësuesit të tyre zgjidhen në mënyrë preferenciale dhe nga partia fituese etnike maqedonase”, tha Osmani.
Ai tha se shkelja në mënyrë flagrante të vullnetit të komunitetit shqiptar si dhe komuniteteve jo shumicë është në kundërshtim me amendamentin e gjashtë të kushtetutës të RMV-së dhe me parimin e përfaqësimit të drejtë..
Zijadin Sela kryetar i Aleancës për Shqiptarët, në shënimin e 23 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, tha se Fronti Evropian është serioz në çdo veprim që e ndërmerr. Ai tha se ata do të mbrojnë atë që quhet paqe, do të mbrojnë atë që u arrit nëpërmjet Marrëveshjes së Ohrit. “Po në të njëjtën kohë ne do të veprojmë në bazë të një nga postulatet që MO ka: Marrëveshja e Ohrit nuk ishte marrëveshje e cila u bë për shtetin, sepse shteti ekzistonte edhe përpara MO. Marrëveshja e Ohrit nuk u bë as për pushtetin, sepse pushtetet ekzistonin edhe përpara nënshkrimit të MO-së. Marrëveshja e Ohrit u bë për të drejtën, dinjitetin, barazinë e qytetarit, pa marrë parasysh përkatësinë etnike që i ka e që shkeleshin më shumë ato të popullit shqiptar këtu në Maqedoni”, tha Sela duke shtuar se Fronti Evropian ka legjitimitetin nga ana e shqiptarëve, turqve, boshnjakëve, romëve dhe e kanë obligim dhe të drejtë për ta mbrojtur këtë legjitimiteti të shprehur me votë.
Ndërkaq, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti tha se sot lexon disa deklarata dhe prononcime për Marrëveshjen e Ohrit, dhe shtoi se ata që i bëjnë këto komente as vrima e kavallit të fundit nuk kanë qenë në ndërtimin e politikave çlirimtare të shqiptarëve të Jugosllavisë. Ahmeti tha se të gjithë duhet që të reflektojnë, ku cenohet legjitimitetit, ku bëhet angazhim për të majorizu dhe për të poshtëruar shqiptarët dhe komunitetet tjera në këtë vend, duhet të mendojnë mirë sepse “Ne nuk kem i nevojë të na përsëritet e kaluara”. Ahmeti tha se duhet të dëgjojnë ata që dëshirojnë t’i ndajnë shqiptarët në “albanci të mirë dhe shqiptarët e këqij”. “Se ne të Frontit jemi shqiptarët e këqij që kërkojmë drejtësi. Ne puthadorë e argat të kërkujt nuk bëhemi, pavarësisht se dikush mendon që është aga në këtë vend dhe se i ka hyzmeqarët. Ky vend do ecën përpara në marrëdhënie të mira ndëretnike në radhë të parë në mes komuniteteve më të mëdha shqiptarëve dhe maqedonasve. Maqedonasit si komb mund të përparojnë vetëm duke qenë në komunikim dhe harmoni të mirë e në marrëdhënie me shqiptarët, përndryshe i gëlltitin serb, bullgarët dhe grekët”, deklaroi Ali Ahmeti. Ai tha se vetëm me shqiptaret, duke bashkëpunuar dhe bashkëjetuar mund të ruhet historia, identiteti i tyre kombëtar. “Përndryshe janë të destinuar të mos ekzistojnë fare”, shtoi më tej Ahmeti. (koha.mk)