Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, ka bërë një shkrim kundër ish-partiakëve të tij. Abazi, me anë të një postimi në ‘Facebook’, pas takimit të Kurtit me…
Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, ka bërë një shkrim kundër ish-partiakëve të tij.
Abazi, me anë të një postimi në ‘Facebook’, pas takimit të Kurtit me partnerë të koalicionit qeverisës në restaurant, ka përkujtuar një deklaratë të kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit Liburn Aliu.
“Në vitin 2007 Kurti dhe miku i tij Liburn Aliu në një takim në Pejton ndër të tjera më thanë: “Ne në restaurant nuk flasim për gjërat publike e çështjen e kombit”. Shikoja me habi e ata insistonin që “restauranti, mishi e pijet e trubullojnë kokën e njerëzve”. Sikur kjo të ishte hipokrizia e vetme!”, deklaroi ai.
“Sot, Kryeministri i Nenadit që ju dërgon lule shqiptarëve të vdekur, dhe shtron darka e thurrë vargje për Oliver Ivanoviçin…”, vijon postimi i tij.
Ndryshe, Kurti përgjatë mbrëmjes së të martës ka njoftuar për një takim me partnerët e koalicionit qeverisës. Në komunikatën e Qeverisë thuhet se u theksua rëndësia për “vendimmarrje të përbashkët”.
“Kryeministri Albin Kurti, informoi partnerët e koalicionit për procesin e konsultimeve politike me partitë parlamentare, si dhe theksoi rëndësinë e vendimmarrjes së përbashkët për proceset e ardhshme demokratike, përfshirë edhe diskutimin se cila është koha më e përshtatshme për zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.