Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka ka reaguar pasi Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës për seancën e 17 majit nuk e ka futur në rend…
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka ka reaguar pasi Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës për seancën e 17 majit nuk e ka futur në rend dite anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.
Krasniqi tha se sot është një ditë e hidhur për Kosovën dhe për qytetarët e saj.
“Kjo Qeveri, ky pushtet, pa përjashtuar asnjë nga përgjegjësit e institucioneve shtetërore, dështoi ta finalizojë një punë thuajse të kryer. Mbështetjen e ktheu në injorim. Besimin në zhgënjim. E të ardhmen e sigurt të qytetarëve tanë – e shndërroi në faturë të lartë politike që duhet ta paguajnë po ata”, ka shkruar Krasniqi.
Krasniqi në një postim në “Facebook” ka thënë se qytetarët e Kosovës sot kanë çdo të drejtë të ndjehen të indinjuar dhe të papërfaqësuar, sepse, ata dhe shteti i Kosovës, kanë merituar më shumë dhe më mirë.
“Për PDK-në, rrugëtimi drejt integrimit evropian të shtetit tonë është i paalternativë. Përkushtimi ynë për drejtësi, demokraci dhe të drejta të plota për çdo qytetar të Kosovës mbetet i palëkundur. Prandaj, shkuarja në zgjedhje të parakohshme, krijimi i një Qeverie të re, kredibile, kompetente dhe të përgjegjshme, që e heqë Kosovën nga izolimi dhe e orienton nga integrimi i sigurt euro-atlantik – është e domosdoshme. Sot, edhe zyrtarisht ky pushtet e ka humbur legjitimitetin. Shteti ka nevojë për qytetarët dhe ata duhet ta thonë fjalën e tyre!”, ka përfunduar Krasniqi.