Qytetarët e Maqedonisë së Veriut nga viti në vit ballafaqohen me ajër shumë të ndotur, veçanërisht muajt e dimrit, ndotje që ka pasoja të rënda në shëndetin e tyre dhe shkurton ndjeshëm jetëgjatësinë e qytetarëve pikërisht për shkak të thithjes së ajrit të mbushur me grimca toksike. Pavarësisht se kjo gjendje akute vazhdon prej dekadash, përveç ndërhyrjeve të vogla ad-hock, vitet e fundit nuk është bërë asnjë hap serioz për përmirësimin e gjendjes, shkruan gazeta KOHA.
Gjegjësisht, përkundër hulumtimeve të shumta, të cilat vërtetuan se pjesa më e madhe e ndotjes së ajrit është nga ngrohja e amvisërive, drutë janë ende dominuese në ngrohjen e shtëpive në Shkup dhe në qytetet tjera të vendit.
Më parë, shteti nuk pengoi as importin masiv të makinave me naftë të vjetruar nga vendet evropiane, të cilat po e heqin në masë këtë teknologji të vjetër dhe gazifikimi i banesave të paralajmëruara prej vitesh ka ngecur. Subvencionet për inverterët në përgjithësi nuk e zgjidhën problemin e ndotjes së ajrit, sepse mbulojnë një pjesë të vogël të popullsisë dhe zjarret e mëdha në pyje këtë verë do të përkeqësojnë më tej situatën e cilësisë së ajrit.
NDOTJA, RREZIKU KRYESOR MJEDISOR PËR SHËNDETIN E FËMIJËVE
Situatat r tilla, përveç të moshuarve, kanë filluar të prekin edhe popullatën më të re, duke goditur tablonë edhe ashtu të keqe demografike. Gjegjësisht, një hulumtim i ri ndërkombëtar i UNICEF-it në Evropë dhe Azinë Qendrore zbulon se 1 në 9 vdekje të fëmijëve në një vit në Maqedoninë e Veriut është e lidhur me ajrin e ndotur. “Këto të dhëna janë veçanërisht shqetësuese, sepse ekspozimi i hershëm dhe i shpeshtë ndaj ajrit të ndotur ndikon në zhvillimin e trurit, mushkërive dhe organeve të foshnjave, gjë që ka pasoja për shëndetin dhe mësimin gjatë gjithë jetës”, thotë Leslie Miller, përfaqësuese e UNICEF-it. Raporti, i titulluar “Fillimet pa frymë: Politikat për Mbrojtjen e Fëmijëve nga Ndotja e Ajrit në Evropë dhe Azinë Qendrore”, zbuloi se në qytetet kryesore anembanë Evropës dhe Azisë Qendrore, ndotja e ajrit rregullisht tejkalon nivelet e sigurta sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe po bëhet një rrezik i madh mjedisor për shëndetin e fëmijëve nga rajoni.
Për më tepër, theksohet se në Maqedoni në e Veriut rreziqet e ajrit të ndotur janë veçanërisht të larta. Përkatësisht, në shkurt të këtij viti, Shkupi ishte edhe një herë në mesin e 10 qyteteve më të ndotura në botë, dhe nivelet mesatare të grimcave PM10 ose PM2.5 i tejkalojnë kufijtë e lejuar më shumë se 100 ditë në vit.
Sipas raportit, foshnjat dhe fëmijët e vegjël janë më të rrezikuar nga vdekja dhe shëndeti i keq nga ndotja e ajrit. “Ekspozimi i hershëm dhe i shpeshtë ndaj ajrit të ndotur – duke filluar nga mitra – çon në tkurrje dhe ristrukturim të mushkërive dhe rrit rrezikun e pneumonisë, infeksioneve të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, infeksioneve të veshit, astmës dhe alergjive. Frymëmarrja e ajrit të ndotur mund të shkaktojë inflamacion të trurit, të pengojë rritjen dhe të ndikojë në zhvillimin kognitiv, si dhe suksesin në shkollë”, thuhet në një deklaratë të UNICEF-it. Duke parë pamjen më të gjerë, përveçse një shkak serioz i vdekjes së foshnjave, ndotja e ajrit i merr më shumë vite të shëndetshme nga jeta çdokujt se çdo faktor tjetër mjedisor, si temperaturat e larta, uji i ndotur dhe higjiena e dobët.
UNICEF u bën thirrje qeverive dhe institucioneve në vendet e rajonit, përfshirë RMV-në, që t’i kushtojnë më shumë vëmendje luftës kundër ndotjes së ajrit, të mbështesin efiçencën e energjisë, qasjen në energjinë e rinovueshme, përmirësimin e cilësisë së ajrit, si dhe të mbrojnë gratë shtatzëna dhe fëmijët nga ajri i ndotur, transmeton KOHA.
PËR MBROJTJEN E MJEDISIT JANË SHPENZUAR VETËM 9 MILIONË EURO
Sipas të dhënave të Entit Shtetëror për Statistika (ESHS), vlera e shpenzimeve për mbrojtjen e mjedisit në vitin 2023 është 8.875.771 denarë. Në totalin e shpenzimeve për mbrojtjen e mjedisit sipas qëllimit ekologjik, peshën më të madhe e zënë kostot e menaxhimit të ujërave të zeza me 36 për qind, pastaj kostot e menaxhimit të mbeturinave me 29 për qind dhe kostot e sistemeve të qarkullimit për furnizim me ujë me 21 për qind. Kostot e mbrojtjes së mjedisit përbëhen nga dy komponentë: investimet në asetet e mbrojtjes së mjedisit dhe kostot për mirëmbajtjen e aseteve të mbrojtjes së mjedisit.
Pjesëmarrja e investimeve në kostot totale për mbrojtjen e mjedisit është 62 për qind, dhe pjesa e kostove të mirëmbajtjes në kostot totale për mbrojtjen e mjedisit është 38 për qind. Nga gjithsej shpenzimet për mbrojtjen e mjedisit, më shumë shpenzime kanë bërë industria dhe prodhuesit e specializuar, 4.381.994 denarë, përkatësisht 49.37 për qind. Nga shpenzimet e bëra për mbrojtjen e mjedisit në industri dhe prodhues të specializuar, 33 për qind janë të destinuara për investime dhe 67 për qind për mirëmbajtje të aseteve. Nga totali i pagesave dhe tarifave për shërbimet e mbrojtjes së mjedisit, peshën më të madhe e zënë tarifat e paguara për trajtimin e mbetjeve, 88 për qind. (koha.mk)