Veprimet e pakoordinuara të qeverisë së Kosovës i vënë në rrezik më të madh qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar, kumtoi mbrëmë Ambasada e SHBA-së në Prishtinë.
Sipas tyre, ambasada amerikane është “thellësisht e zhgënjyer” nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara të ndërmarra dje nga qeveria e Kosovës kundër degëve të postës serbe në veri të Kosovës.
Ata i bënë thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndërpresë çdo veprim të mëtejshëm “të njëanshëm” dhe t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialog me mbështetje të BE-së, për të zgjidhur çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Ky është reagimi i dytë i komunitetit ndërkombëtar lidhur me atë veprim, pas kumtesës së mëparshme të BE-së. Në kumtesën nga Brukseli thuhet se BE-ja është e gatshme ta përfshijë këtë çështje në rendin e ditës së takimit të radhës në kuadër të Dialogut dhe se pret që palët të zhvillojnë ide konstruktive që mund të shërbejnë si bazë për zgjidhje.
Ata i bënë thirrje qeverisë së Kosovës që të rishqyrtojë vendimin e saj, duke thënë se mbyllja e degëve të Postës së Serbisë është një veprim i njëanshëm dhe i pakoordinuar, si dhe shkelje e marrëveshjes së telekomunikacionit, pasi palët tashmë në vitin 2015 ishin pajtuar që për shërbimet postare do të diskutohej në një “fazë të mëvonshme”.
Pjesëtarë të Policisë së Kosovës dje pasdite kanë hyrë në të 9 objektet e Postës Serbe në veri të Kosovës në bazë të kërkesës së Organit Rregullator për komunikime elektronike dhe postare (ARKEP).
Janë mbyllur tri zyra postare në Mitrovicë, dy në komunën e Zveçanit, një në Zubin Potok dhe tre në komunën e Leposaviqit.