Orët e para si Ministër i Shëndetësisë, Arben Taravarin, e gjetën në vizitë në sallat kirurgjike jashtë funksionit në Qendrën Klinike. Kërkon vetëm disa ditë kohë për një vendim që do ta zgjidhte problemin me këto salla që kanë rreth një muaj që funksionojnë vetëm me kompresorë të jashtëm.
Punën e parë që e bëri si ministër është shkarkimi i disa ushtruesve të detyrës drejtorë ekonomikë të klinikave. Ky post, siç tha, nuk do të ekzistojë më. Do të shkarkohen edhe të tjerët, sapo të gjendet zgjidhje ligjore.
“Drejtorë ekonomik janë 14, kemi dhënë urdhër në ministri. Do të shkoj në Shtip ta vizitojmë spitalin, do të kthehem t’i nënshkruaj dhe do të shkarkohen një numër i caktuar i drejtorëve ekonomik, të cilëve do t’u mbarojë mandati deri kah mesi i korrikut, të gjithë do të shkarkohen. Ato që janë me mandate do të duhet të ndryshohet ligji që sa më shpejtë të shkojë në kuvend që të mos ketë më drejtorë ekonomik”, tha më tej Taravari.