Nga koalicioni VLEN thonë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ngrirjen e Balancuesit është konfirmim se BDI-ja, “në vend që t’i shfrytëzojë funksionet në Qeveri me LSDM-në, për zgjidhjen sistematike të statusit të shqiptarëve, u fokusua në grabitjen e parave publike dhe pasurimin personal”. Nga ky koalicion thonë se garantojnë se ngrirja e Balancuesit nuk do ta rrezikojë të drejtën e punësimit të asnjë shqiptari.
“Balancuesi, mekanizmi i ngrirë për shkak të gjyqtarëve kushtetues të zgjedhur gjatë BDI-së dhe LSDM-së së delegjitimuar, u bë shkak për tensione të reja në të ashtuquajturin “Front Evropian”. Deputeti Elmi Aziri, një nga protagonistët kryesorë të koalicionit me BDI-në, filloi të tregojë shenja se e ka kuptuar lojën e Ali Ahmetit dhe Artan Grubit. Kulla e kartave, e ndërtuar mbi bixhoz, krim dhe mashtrime, po e gërryen më shumë ndërgjegjen e deputetit Aziri. Ai, me vetëdije ose pa vetëdije, filloi të zbulojë të vërtetën që VLEN e ka thënë që në fillim: gjyqtarët kushtetues janë zgjedhur nga BDI-ja e kriminalizuar. Tani, duke marrë parasysh se iniciativa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së balancuesit është mbështetur nga Nuri Bajrami, baxhanaku i Talat Xhaferit, ndërsa Artan Grubi, si ministër i atëhershëm për Sistemin Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive, nuk ka dashur të dorëzojë argumente në Komisionin për antikorrupsion për punësimet e shqiptarëve në administratë, po i thellon akoma më shumë mosmarrëveshjet në këtë Front”, thuhet mes tjerash në reagim.