Në komunën e Tearcës për të 12 herë është mbajtur festivali i njohur “Dita e Groshës”.Si zakonisht përgatitja e groshës fillon që në orët e hershme të mëngjesit. Për këtë kujdeset kuzhinieri Mirko Gjorgjevski nga Tearca. Ai tregon përgatitjen e groshës për 300 persona. “Kjo është groshë e jona pra e Tetovës, përbërësit i kam vendosur dhe presim që të zihet që më pas të vazhdojmë me përgatitjen. Duhet rreth pesë orë që të zihet grosha, varet, nëse grosha është e freskët zihet më shpejtë, nëse është më e vjetër shkon më gjatë zierja. Është një punë e rëndë dhe kërkon shumë përkushtim”, thotë kuzhinieri Mirko Gjorgjevski.
Krahas groshës, pjesë e manifestimit të sotëm është edhe përgatitja e hallvës tradicionale. Për këtë kujdeset kuzhinier Adem Aliti nga Tearca. Ai thotë se edhe përgatitja e hallvës kërkon shumë kohë dhe shumë mund. “Është një punë e lodhshme, sepse për përgatitjen e hallvës duhet 3 ose 4 orë. Përgatitja merr shumë kohë sepse gjatë tërë kohës duhet të përzihet sepse një gabim i vogël, pastaj hallva mund të ketë shije të hidhët dhe nuk mund të hahet”, thekson kuzhinieri Adem Aliti. Ky manifestim tashmë ka krijuar një traditë të qëndrueshme dhe ofron një mundësi unike për të bashkuar komunitetin përmes trashëgimisë kulturore, duke kapërcyer barrierat ndëretnike dhe promovuar vlerat e rajonit të Pollogut dhe më gjerë, thonë organizatorët. “Vështirësitë kanë qenë gjatë kohës së pandemisë kur u desh të kemi një shkëputje, por më pas vazhduam me të njëjtin ritëm për të mbajtur gjallë këtë eveniment. Mendoj se qëllimi kryesor mbetet që grosha të jetë një prodhim i brenduar i Tetovës, ndërsa poashtu qëllimi është që sa më shumë të mbështeten fermerët nga ky rajon”, tha Metin Muharemi, nga Qendra për Zhvillim dhe Edukim (CED).
Festivali i sivjetmë është pjesë e aktiviteteve të organizuara në nivel Evropian, dhe bashkë me mbi 30 organizata nga e gjithë Evropa, do të shënojmë “Ditët e Brezit të Gjelbër Evropian” përmes një panairi të sipërmarrësve lokalë, ekspozitave shkollore, kinemasë rurale, ushqimeve tradicionale, si dhe muzikës dhe valleve nga kultura të ndryshme. Mbështetës të këtij edicioni është programi evropian Best Belt, Shoqata Ekologjike Maqedonase, Korpusi i Paqes, dhe platforma Miqtë e Sharrit, theksuan organizatorët.. Ky eveniment është pasuruare dhe nga pjesëmarrja e shkollave nga rajoni ku nxënësit kanë përgatitur punime artistike me temën “Të jetuarit në Brezin e Gjelbër”. Këtë festival në orët e pasdites e ka vizituar edhe zëvendësministri i bujqësisë Flakron Bexheti. (koha.mk)