Presidentja Gordana Siljanovska Davkova, e cila e kryeson delegacionin e Maqedonisë së Veriut në Asamblenë e 79-të të Përgjithshme të KB-së, sot duhet të flasë në Samitin e së Ardhmes në temë “Zgjidhje shumëpalëshe për të nesërme më të mirë” me pjesëmarrje të shefave të shteteve dhe qeverive.
Qëllimi i Samitit të së ardhmes është që shtetet anëtare ta risin bashkëpunimin ndërmjet veti i cili, siç theksohet, është gjithnjë e më i rëndësishëm për mbijetesën njerëzore, por është vështirë të arrihet në atmosferën e mosbesimit, duke shfrytëzuar struktura të vjetërsuara të cilat më nuk i reflektojnë realitetet e sotme politike dhe ekonomike.
Në përbërje të delegacioni shtetëror të Maqedonisë së Veriut janë ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski dhe zëvendëskryeministri dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësnor, Izet Mexhiti. Edhe Mucunski edhe Mexhiti do të kenë fjalime të tyre në javën e Kombeve të Bashkuara, ndërsa përfaqësuesit tanë do të mbajnë edhe takime të përbashkëta dhe të ndara dypalëshe me liderë të vendeve të tjera.
Siljanovska Davkova, Mucunski dhe Mexhiti dje pasdite sipas kohës amerikane në xhaminë në qytetin Friholld, Nju Xhersi patën takime me qytetarë tanë të cilët jetojnë në këtë pjesë të SHBA-së, të cilët kanë origjinë kryesisht nga Dibra dhe rrethina.
Siljanovska Davkova tha se po vjen koha kur gjërat do të ndryshojnë dhe se duhet të jetë ashtu.
“Jam krenare që në të njëjtën ditë isha në kishë dhe tani në xhami dhe porosia është e qartë, ajo që na duhet është të kuptojmë njëri-tjetrin, të respektojmë fenë tonë dhe gjithashtu të bashkëpunojmë. Porositë e Kuranit dhe të Biblës janë në fakt të njëjta. Baza e etikës dhe moralit janë aty. Unë jam këtu për herë të parë, por nuk do të jetë e fundit”, tha presidentja.
Zëvendëskryeministri Mexhiti tha se porositë të cilat i tha Siljanovska Davkova janë të njëjta për të gjithë, por dallon interpretimi. “Së pari ishim në kishë, ndërsa tani jemi në qendrën islamike të dibranëve. Për fat të keq, ka më shumë dibranë në Nju Jork se sa në Dibër”, tha Mexhiti.
Hoxha Omer Kadri, me origjinë nga Dibra, tha se kjo është vizitë historike sepse deri më tani asnjë president dhe përfaqësues shtetëror nuk i ka vizituar në xhami, e cila gjithashtu është edhe qendër e qytetarëve.
“Faleminderit që erdhët të takoni këta njerëz që janë shtetas të SHBA-së, por zemrat e tyre janë në Maqedoni”, tha hoxha Kadri. Dibranët, siç tha ai, kanë filluar të migrojnë në Amerikë në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar dhe tani, siç thotë ai, numri i tyre shkon nga 60 deri në 80 mijë. Ata punojnë si ndërtues, ndërtojnë fabrika, xhami, shkolla, ndërsa në mesin e tyre ka edhe biznesmenë, avokatë, inxhinierë, mjekë…
Hoxha Kadri theksoi edhe donacionet dhe ndihmën të cilën e japin ata për vendin amë siç është rinovimi i spitalit të Dibrës.
Gjithashtu tha edhe se në Friholld, ku gjendet kjo xhami, kanë takime mujore me përfaqësues të të gjitha grupeve religjioze të cilët jetojnë në këtë pjesë të Nju Xhersit.
Paraprakisht, Siljanovska Davkova ishte në liturgji me rastin e Shën Mërisë në kishën “Shën Nikolla” në Totovë, Nju Xhersi, ndërsa pastaj bashkë me zëvendëskryeministrin Mexhiti realizoi takim me qytetarët tanë të cilët jetojnë në qytet dhe rrethinë.