“Make finance great again” apo “bëni financat sërish fantastike” është motoja e ish-presidentit amerikan me rastin e sjelljes së platformës për këmbimin e kriptovalutave. Ish-presidenti amerikan, Donald Trump prezantoi një…
“Make finance great again” apo “bëni financat sërish fantastike” është motoja e ish-presidentit amerikan me rastin e sjelljes së platformës për këmbimin e kriptovalutave.
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump prezantoi një platformë të re të këmbimit të kriptovalutave të quajtur “World Liberty Financial”.
Kandidati republikan për president të SHBA-së shkoi në rrjetin social X për të bërë njoftimin, në të cilin ai dha shumë pak detaje konkrete se si do të funksiononte platforma.
World Liberty Financial pritet të jetë një platformë kriptobankare, ku njerëzit mund të marrin e japin hua si dhe të investojnë në kriptomonedha, raporton euronews.
Kriptovalutat janë forma të parave digjitale që mund të tregtohen përmes internetit pa u mbështetur në sistemin bankar global.
Këmbimet shpesh ngarkojnë tarifa për tërheqjen e Bitcoinit dhe monedhave të tjera.
Platforma e re e kriptovalutave do të kontrollohet nga djemtë e kandidatit republikan, Eric dhe Donald Jr., të cilët thanë se do t’i “bëjë financat përsëri të shkëlqyera”.
Projekti do të lëshojë një shenjë digjitale të quajtur WLFI, thanë themeluesit e saj, transmeton Telegrafi.
CNBC raportoi se 20 për qind e ‘tokenëve’ të projektit i janë ndarë ekipit themelues, i cili përfshin edhe ish-presidentin amerikan.
Kriptomonedha dhe rregullimi i tyre
Asetet e kriptovalutave tregtohen duke përdorur të ashtuquajturat kontrata të zgjuara në një blockchain, duke përjashtuar ndërmjetësit, bankat dhe institucione të tjera financiare.
Kjo quhet financë e decentralizuar, shpesh shkurt shkruhet DeFi.
Tregtimi shpesh varet nga tregjet në internet që ngarkojnë tarifa për transaksionet, në mënyrë që kriptovalutat të mund të këmbehen me dollarë amerikanë dhe monedha të tjera.
Kritikët thonë se këto platforma janë shpesh të prirura ndaj hakerëve dhe se sistemi është shumë i nënrregulluar në SHBA, krahasuar me Evropën ku tashmë është vendosur Rregullorja e Tregjeve në Kripto-Asetet.
Prandaj, asetet digjitale shihen si shumë të rrezikshme në krahasim me investimet tradicionale.
Pavarësisht nga pasiguritë, kriptovalutat po rritin gradualisht ‘klubin e fansave’, sipas të dhënave të ueb-faqes së rishikimeve “Security.org”, ku afërsisht 93 milionë njerëz, 40 për qind e të rriturve tani zotërojnë kriptovalutave në SHBA, nga 30 për qind në vitin 2023.
Si po ndryshon qëndrimi i Donald Trump ndaj kriptomonedhave
Tre vjet më parë, ish-presidenti amerikan nuk ishte aq i dhënë pas kriptovalutave, thënë të drejtën aspak i dhënë.
Ai e quajti Bitcoin një “mashtrim” që ndikon në vlerën e dollarit amerikan në një intervistë për FOX Business.
Nuk më pëlqen sepse është një monedhë tjetër që konkurron me dollarin”, tha ai.
Por, që atëherë, ai ka është zhytur “kokë e këmbë” në botën e kriptovalutave.
Në vitin 2024, ai filloi të pranonte donacione në kriptomonedha dhe në fund të muajit korrik mbajti një fjalim në konferencën e Bitcoinit në vitin 2024 në Nashville, duke thënë me krenari se ishte presidenti i parë amerikan që foli ndonjëherë në një ngjarje të kriptovalutave dhe se kishte plane për ta bërë SHBA-në një ‘superfuqi botërore të Bitcoin’, duke liruar rregulloret.
“Ne po e përqafojmë të ardhmen me kriptovalutat dhe po lëmë pas bankat e mëdha të ngadalta dhe të vjetruara”, deklaroi Trump në një video të publikuar në platformën X.