Asnjë pajisje elektronike nuk është më e sigurt për përdorim në Liban. Këtë e konfirmoi vala e dytë e shpërthimeve të radio marrësedhënëse. “Nuk e dimë nëse mund të qëndrojmë pranë…
Asnjë pajisje elektronike nuk është më e sigurt për përdorim në Liban. Këtë e konfirmoi vala e dytë e shpërthimeve të radio marrësedhënëse. “Nuk e dimë nëse mund të qëndrojmë pranë laptopëve apo smartfonëve tanë”, thotë një grua nga Libani për BBC.
Autoritetet konfirmuan se 20 persona humbën jetën dhe 450 të tjerë mbetën të plagosur nga shpërthimet e së mërkurës, ndërsa gjatë të martë sulmi masiv u mori jetën 12 njerëzve dhe la të lënduar më shumë se 2 mijë të tjerë. Hetuesit në Liban akuzojnë agjencinë izraelite të spiunazhit, Mossad, se qëndron pas këtij agresioni që pati në shënjestër anëtarët e Hezbollahut. Izraeli nuk ka komentuar atë që ka ndodhur, por ministri i luftës, Yoav Gallant, njoftoi një fazë të re të luftës.
“Besoj se ne po futemi në një fazë të re të luftës dhe duhet të përshtatemi. Kjo vlen për të gjithë, sigurisht edhe për ata që janë në ajër dhe kontrollojnë çfarë ndodh në qiell, sepse këtu nuk kemi të bëjmë me Hamas. Kjo është diçka tjetër dhe duhet të përgatitemi mirë. Para se të gjithash qëndra e gravitetit po zhvendoset për në veri. Kjo do të thotë se ne po lëvizim burime, trupa dhe energji në frontin e veriut”, u shpreh Yoav Gallant, Ministër i Mbrojtjes i Izraelit.
Gjatë natës, avionët ushtarakë izraelitë goditën objektet ushtarake të Hezbollahut në Libanin jugor. Këtë e deklaroi zëdhënësi i IDF-së, duke raportuar gjithashtu sulme intensive artilerie në zona të ndryshme të jugut të vendit. Raportohet gjithashtu që militantët e Hezbollahut, që mbështeten nga Irani, të kenë lëshuar raketa dhe dronë në drejtim të veriut të Izraelit. Për shkak të këtij zhvillimi, zyrtarë të lartë të Pentagonit amerikan po i druhen faktit se ky shtim i aktiviteteve luftuese mes Tel Avivit dhe Hezbollahut mund të jetë fillimi i një ofensive ushtarake tokësore nga ana e Izraelit në Liban. Kështu raporton Wall Street Journal, duke sqaruar se frika për një zgjerim të luftës në atë drejtim ishte pohuar ditë më parë edhe nga sekretari amerikan i mbrojtjes, Lloyd Austin.