Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar seancën e radhës në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e ardhshme ndaj Rumanisë. Në prag të sfidës së parë të edicionit të ri të Ligës…
Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar seancën e radhës në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e ardhshme ndaj Rumanisë. Në prag të sfidës së parë të edicionit të ri të Ligës së Kombeve, Dardanët janë zhvendosur në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku të premten do të ballafaqohen me kundërshtarin më të fuqishëm të Grupit 2 në Ligën C, në orën 20:45.
Në këtë seancë, përzgjedhësi Franco Foda ka vendosur fokusin kryesor në aspektin taktik, duke synuar zbatimin e ideve të tij në fushë nga ekipi për këtë përballje të rëndësishme. Futbollistët kanë punuar me përkushtim dhe seriozitet të lartë, ndërsa pritjet janë të larta për një performancë të suksesshme.
Florent Hadërgjonaj theksoi rëndësinë e përgatitjeve taktike në këtë fazë: “Kemi pasur stërvitje të mira, sidomos taktikisht. Shpresoj se jemi përgatitur mirë. Kemi marrë informata prej trajnerit dhe stafit të tij. Jemi përgatitur deri në maksimum. E dimë se çfarë na pret dhe normalisht se do të shkojmë për fitore. Nuk kemi kaluar siç duhet në ndeshjen që kemi zhvilluar në Rumani. Kanë ndodhur disa gjëra që nuk guxojnë të ndodhin dhe normal se është një motivim shtesë se si na kanë pritur. Nuk bën të ndikojë shumë kjo, por duhet të jetë motiv që t’ia kthejmë me marrjen e tri pikëve. Mesazhi për ‘Dardanët’? E di se janë shitur të gjitha biletat dhe kjo na jep zemër neve si gjithmonë kur luajmë në ‘Fadil Vokrri’. Shpresoj të na motivojnë, por kryesorja është që ne ta bëjmë lojën në fushë dhe t’i marrim ata mbasë vetes që edhe ata ta japin kontributin e tyre”, tha Hadërgjonaj pas stërvitjes.