Donald Trump ka kërcënuar se do ta burgos Mark Zuckerberg nëse themeluesi i Facebookut bën “diçka të paligjshme” për të ndikuar në zgjedhjet e ardhshme presidenciale 2024. Ish-presidenti amerikan e…
Donald Trump ka kërcënuar se do ta burgos Mark Zuckerberg nëse themeluesi i Facebookut bën “diçka të paligjshme” për të ndikuar në zgjedhjet e ardhshme presidenciale 2024.
Ish-presidenti amerikan e bëri këtë pretendim në një libër të ri, të titulluar “Save America”, i cili është një koleksion fotografish dhe anekdotash nga fushatat presidenciale.
Pranë një fotografie duke takuar Zuckerbergun në Shtëpinë e Bardhë, Trump shkroi se “ai do të sillte gruan e tij shumë të këndshme në darka, do të ishte aq i sjellshëm sa çdokush mund të ishte, ndërkohë që gjithmonë kurdiste për të vendosur ‘Kutitë e Turpit’ në një komplot të vërtetë kundër presidentit”.
Ishte një referencë për shumën e mbi 400 milionë dollarëve (361 milionë euro) që Zuckerberg dhe gruaja e tij, Priscilla Chan Zuckerberg, i dhuruan zyrave zgjedhore gjatë vitit 2020, shkruan skynews.
Dhuratat kryesisht shkuan në qarqe me prirje demokratike në disa shtete – pjesërisht sepse politikanët republikanë refuzuan donacionet pasi Trumpi paralajmëroi kundër financimit të zyrave zgjedhore në mënyrë që ata të mund të inkurajonin votat postare gjatë pandemisë së coronavirusit.
Trump dhe mbështetësit e prepublikanit kanë fajësuar vazhdimisht donacionet për kontributin në humbjen e tij në vitin 2020, transmeton Telegrafi.
“Ne po e vëzhgojmë atë nga afër”, shkroi Trump në librin e tij të ri, “dhe nëse ai bën ndonjë gjë të paligjshme këtë herë, ai do të kalojë pjesën tjetër të jetës së tij në burg – ashtu si të tjerët që mashtrojnë në zgjedhjet presidenciale të viti 2024”.
Libri i tretë i Trumpit përfshin gjithashtu fotografi të tij me liderë botërorë si Kim Jong-un i Koresë së Veriut dhe ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel.
Ai përmban gjithashtu fotografi të turmave me të cilat ai pëlqen të mburret, të mbledhura në Uashington DC për të dëgjuar fjalimin e tij përpara sulmit të 6 janarit në Kongresin amerikan në vitin 2021.
Meta, kompania e riemërtuar e Zuckerbergut, nuk ka komentuar kërcënimet e Trumpit.
Libri “Save America” do të dalë në shitje më 3 shtator dhe do të shitet për 99 dollarë (90 euro) ndërsa kopjet e nënshkruara për 499 dollarë (451 euro).