Kreu i komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu në deklaratë konfirmoi se sot është kërcënuar nga personi F.B., i cili më pas u plagos me thikë në Strimnicë të Zhelinës. Sejdiu thotë se nuk e njeh personin në fjalë, por që më pas ka mësuar se i njëjti ka qenë i burgosur dhe se, siç thotë ai, “ka probleme psikologjike”.
“Unë nuk e kam ditur që ai person ka qenë në Bardocë dhe paska qenë i burgosur, tre vite në burg, e kështu me radhë. Isha në xhami, ishte e xhuma sot, mu afrua, tha kam pyetje të parashtroj prej jasht, thash ok. Dolëm jashtë, dhe ai në formë kërcënuese mu afrua dhe më tha kur do të më punësoni, me një ton shumë kërcënues, duke mu afruar shumë afër, dhe e pashë nga afër se personi, nga fizionomia, që personi nuk është person normal dhe është person me probleme psikologjike. Ndërhyri një person tjetër që ta ndajë, ai personi e kuptova më vonë se quhet Orhan, ta ndajë nga unë që eventualisht mos të më sulmojë fizikisht, pastaj aty u bë situatë tollovi, ku ndërhynë persona të tjerë, unë u largova dhe pastaj më vonë kuptova se ai person ka pësuar një sulm, apo është plagosur rënë, që më vie shumë keq, pse ka ndodhur ashtu. Por qytetarët më njoftuan se bisedohet për një person me probleme të rënda psikologjike, që ka qenë në Bardocë dhe ka qenë i dënuar dhe policia e ka të njohur si emër”, deklaroi kryetari i komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu.]