Shumë qytetarë morën pjesë në varrimin e Faton Hajrizit në vendlindjen e tij, në Klinë e Ulët të Skënderajt, raporton “Kosova Press”.
Trupi i pajetë i Hajrizit u soll nga Serbia në Kosovë mëngjesin e së premtes. Po atë ditë, u identifikua nga familjarët e tij dhe iu bë autopsia.
Hajrizi u vra më 19 korrik në Lloznicë të Serbisë, derisa kufoma e tij u mbajt atje rreth 2 javë. Ai u raportua se më 18 korrik kishte vrarë një polic serb në Lloznicë dhe kishte plagosur një tjetër.
Faton Hajziri u arratis nga burgu i Smrekonicës për të nëntën herë më 6 korrik të këtij viti.
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka thënë se rasti i Hajrizit do të “mbetet njollë e përhershme e sistemit të drejtësisë në Kosovë”.
“Pusho në paqe Faton. Jeta jote do të mbetet një njollë e përhershme e sistemit tonë të drejtësisë dhe shoqërisë sonë që mbyllë sytë para padrejtësive. Në pamundësi që të jem fizikisht pranë familjes Hajrizi sot, familjes shokëve e miqve, ju shprehë ngushëllimet me të sinqerta. Zoti ju dhashtë forcë për të përballuar këtë tragjedi”, ka shkruar Musliu në Facebook.