Prof.dr. Nazmi Beqiri
(Bartësve të prëgjegjësisë mbarëshqiptare)
Mosrespektimi i marrëveshjeve, i normave, i shprehjes së vullnetit dhe lirisë, ka përfunduar me vrasje, me luftë. Zatën për këtë lufta njihet si mjet i fundit i politikës. Për politikë dhe rregull jetësor, ne kemi pasur kanunin, që sot kur përmendet ndër ne e gjetiu, menjëherë parakujton vrasjen. Ndërsa, pleqnarët, të cilët ishin krijuar për ta shmangur atë (vrasjen), e lënë si element (nyje) të pestë të veprimit për kundërvrasje. Përkujtova këto ligje, nga halli se ndërhyrja në gabime, ngatërresa, vrasje, shkelje të së drejtës, të moralit dhe mohimit të lirisë, rregullohej, ose tentohej të rregullohej, përmes pleqve lokalë dhe kombëtarë (angazhimi i tyre varej nga lloji i problemit), me fjalë të mira e të qeta, duke sqaruar, duke zbërthyer, duke e shkokëlitur deri në imtësi problemin. Sidomos, duke e vënë në pah presedanin. Pos dijes që përdorej me mënyrat që i ceka, përdoreshin edhe mjete të mirëqenies, toka e malli, e rrallë herë edhe mjete lufte (raste këto që përdoreshin në prag të kryengritjeve apo luftërave pushtuese).
Mbase, dje ishim ndryshe dhe skishim hapësirë veprimi, por sot jemi më të arrirë ,dhe mendoj se mund të veprohet.
Nuk është gjë e fshehtë dhe duket sheshazi se liria, legjitimiteti, statusi politik që e kemi fituar me gjak, shumë mund e vuajtje, u humb nga vetë ne (pjesë e kombit) e quane si të doni: parti politike, lëvizje, opozitë, apo me emrin që ia kanë vënë vetëvetes si “VLEN”. Po veprojnë si pashallëqet e mëdha shqiptare të cilat ishin më afër se kurrë drejt themelimit të shtetit, por mosbashkëpunimi i tyre ishte në interes të Baba Dovletit nga Stambolli, i cili nuk e lejonte këtë bashkëpunim, (njëjtë sikurse sot Mickoski), por çoi në krijimin e shtetit Grek dhe kokat e tyre shkuan në Stamboll dhe Cetinë, pas së cilës kohë, dikur më vonë, shqiptarët e krijuan shtetin e tyre e nuk u asimiluan.
VLEN-i, po e merr këtë punë si çështje të dy taborreve, dy grupacioneve, dy forcave politike, kur jemi në një etni dhe kemi edhe etni tjetër që është më në numër, e cila etni me legjimitetin e vet po shkelë mbi legjitimitetin tonë, përmes përfaqësuesve që nuk e kanë fituar legjitimitetin (votën). VLEN-i, këtë legjitimitet nuk mund ta ndajë me hipoteza boshe, dhe e paraqet rastin e etnisë si një trup me kokë, paçka se njëra është më e vogël me numër votash. Në rastin që jemi ne në RMV, kemi dy trupa dhe vetëm një kokë, në të cilën paraqitet çdo vlerë e etnisë, e koka tjetër është e etnisë tjetër. Kjo nuk u respektua dhe u prish çdo gjë. Ndërsa unë mendoj se VLEN-i, nuk është për prishjen (zhbërjen) e statusit tonë politik të ndërtuar me MO-në (Marrveshjen e Ohrit), por më duket se nuk po e din, nuk po e sheh, nuk po e ndien prej lakmisë, ose ruana Zot!!!… Injorimi i vullnetit politik të shumicës elektorale shqiptare dhe përfillja e suprimimit të statusit të pjesës së popullit shqiptar në RMV nga VMRO-ja nënkupton tradhëti kombëtare nga VLEN-i dhe rrezikim të shtetit nga patroni i tyre. Në të kaluarën jo shumë të largët pati ndodhur suprimimi i statusit të Kosovës nga Sërbia, si dhe raportet serbo-shqiptare të viteve të tridhjeta, dhe u pa çfarë ndodhi më tej. Sugjerojmë fjalën popullore “dardha është e ëmbël para se të kalbet, pra dardha ka bisht”.
Në këso ngatërresash vëllazërore, mendoj se duhet ndërhyrje deri në sqarime bindëse dhe kjo tani është e mundur dhe mund ta bëjnë udhëheqësit tanë, përfaqësuesit tanë, kryeministrat dhe kryetarët e shteteve shqiptare.
Me Kushtetutën e Shqipërisë, kjo është edhe obligative, kurse Kosova, duhet ta bëjë me vullnet të mirë.
Duke u thirrur nga ndërgjegjia, kërkoj ndërhyrjen e Kryetarit të Republikës së Shqipërisë dhe Kryeministrit, të Kryetares së Republikës së Kosovës dhe të Kryeministrit, që të hyjnë në këtë mjegulli mendësh e dëshirash.
E di që në këtë punë, në mënyrë krejtë të qetë është dashur të ndërhynin akademitë tona të shkencave e ta sqaronin çështjen e legjitimitetit të vullnetit politik të shprehur me vota, që çdo gjë të kthehet në vendin e vet, por si duket ata nuk e morën këtë çështje serioze dhe se do të mund të vinte situata deri në degradim.
Shpresoj se kjo kërkesë do të arrijë te Ju të lartëpërmendur, përmes rrjetit ekipor shtetëror që keni, e të veproni në kohë, ngase përçarja është më e rëndë se humbja, sepse kur humb ndizet alarmi, shpërthen jehona dhe mobilizohesh…