Komuna e Haraçinës prej sot ka qendrën e saj për ofrimin falas të shërbimeve defektologjike dhe psikologjike për fëmijë me nevoja të posaçme. Qendra për trajtim individual “Dua ylberin” Haraçinë është pjesë e projektit “Ne kujdesemi” nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale, Banka Botërore dhe Komuna e Haraçinës. Shërbimet i ofron stafi i “Dua ylberin” për të gjithë fëmijët e grupmoshës 4-14 vjeç që kanë një diagnozë, për të cilën janë të përcaktuara rekomandime për trajtim individual. Kjo qendër është e para në këtë komunë.
Kryetari i komunës së Haraçinës Ridvan Ibraimi tha se kjo kategori e shoqërisë është më e veçanta e njerëzimit edhe çdo mungesë për fat të keq në këtë kategori jam i sigurt se nuk po plotësohet, nuk po merret vendi i duhur në shoqëri.
“Si shoqëri përderisa fokusi nuk është tek kjo kategori e fëmijëve, ne nuk do të jemi ata çfarë duhet të jemi. Komuna jonë ka qenë në gjendje financiare shumë të vështirë saqë sot e kësaj dite i kemi ato vështirësi financiare, por në asnjë moment të vetëm nuk kam dyshuar dhe nuk kam hezituar me i nda ato mjete për këtë qendër të nevojshme. Ky ekip i ‘Dua ylberin’ me aq sa kam informacion dhe me dy vite komunikim me ta, kam identifikuar dhe jam shumë i sigurt që ndihma do të jetë e shumtë për fëmijët tuaj. Edhe një herë ju përgëzoj për angazhimin që nuk ishte i lehtë, me shpresë që shërbimet do të jenë në nivel dhe nuk do të mungojnë siç kanë munguar në të kaluarën”, ka thënë Ibraimi.
Ndërkohë, bashkëdrejtuesja e shoqatës “Dua ylberin” Mevlude Thaçi tha se pas një periudhe përgatitjesh, sot kemi kënaqësinë të shpallim hapjen zyrtare të qendrës “Dua ylberin” për fëmijë me nevoja të posaçme në Haraçinë.
“Falë bashkëpunimit me Komunën e Haraçinës veçanërisht me kryetarin e kësaj komune z. Ridvan Ibraimi, Ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale, dhe Bankën Botërore, kjo qendër do të ofrojë shërbime logopedike dhe defektologjike, si dhe dhomë senzorike dhe dhomë për teknologji asistive, të pajisura me të gjitha mjetet e nevojshme”, tha Thaçi.
Për vështirësitë e paraqitura deri në hapjen e kësaj qendre, stafi ynë dhe komuna e Haraçinës së bashku me kryetarin që na kanë ndihmuar hapa pas hapi, e dinë se sa të shumta kanë qenë por i tejkaluam, tha nga ana tjetër bashkëdrejtuesja e shoqatës “Dua ylberin” Edlira Destani.
“Shpresoj shumë që me këmbëngulje dhe profesionalizëm të kapërcejmë edhe vështirësitë e fëmijëve tuaj. Këto trajtime do të jenë falas dhe shpresojmë që të jenë ndihmesë shumë e madhe edhe për prindërit. Faleminderit për besimin të nderuar banorë të Haraçinës”, ka thënë Destani.