Kualifikimi nuk është më një temë për t’u diskutuar. Pavarësisht se kanë grumbulluar katër pikë, pas dy ndeshjeve të para “Helvetët” e Zvicrës mund të thuhet se i kanë mbyllur…
Kualifikimi nuk është më një temë për t’u diskutuar. Pavarësisht se kanë grumbulluar katër pikë, pas dy ndeshjeve të para “Helvetët” e Zvicrës mund të thuhet se i kanë mbyllur “hesapet” e kualifikimit, për në fazën tjetër, të Kampionatit Evropian të futbollit, Euro 2024, që po zhvillohet në Gjermani, që prej 14 qershorit e do të vazhdojë deri më 14 korrik.
Në sfidën e fundit të grupeve, Zvicra do të përballet me “Pancerat” organizatorë, ku në rast fitoreje do të siguronin vendin e parë, në Grupin A. Në kuadër të kësaj sfide disa fjalë i ka thënë edhe kapiteni “helvet”, Granit Xhaka, i cili theksoi t’i mposhtin gjermanët dhe se nuk do t’i respektojnë më shumë seç duhet.
“Sigurisht që kemi respekt për gjermanët, por e sigurt është se nuk kemi aq respekt sa kishte Skocia për ta në ndeshjen e parë. Ata ja dhuruan topin gjermanëve, jemi të lumtur dhe jemi zjarr për ta fituar ndeshjen. Nuk dua të mendoj se tashmë i kemi arritur 1/8-tat. Ndaj Skocisë ditëm të reagonim mirë dhe në mbrojtje jemi treguar mjaft të vendosur”,- u shpreh Xhaka.